Në këto ditë të vështirë ku shumë të sëmurë e kanë të pamundur të bëjnë lëvizje të gjata gjetja e një termometri është sfidë përveç kostove të larta.
Në farmacitë e Tiranës aktualisht ka mungesë termometrash, nga ato të thjeshtit me çmim 100-150 lekë, teksa gjenden më vështirësi disa të tjerë “luksozë” me zhivë ekologjike për që kushtojnë mbi 900-1100 lekë, ose dhe ata elektronikë që kushtojnë minimalisht 1,500 lekë.
“Monitor” bëri një vëzhgim së fundi në shumë farmaci në kryeqytet dhe në asnjë prej tyre nuk mund të gjendej termometër i zakonshëm, nga ato me zhivë, që përpara pandemisë kushtonin në farmaci vetëm 100 lekë.
Mungesa e termometrave dhe rritja e çmimit vjen si vështirësi shtesë në kulmin e pandemisë, kur trajtimi dhe parapërgatitja nis pikërisht me to. Farmacistët në Tiranë në shumicën e pikave të shitjes pohuan se stoku i furnizimeve ka disa ditë që ka përfunduar, për shkak të kërkesës së lartë nga pandemia, ndërkohë që nuk ka sinjale për furnizime të reja.
Në ndonjë farmaci janë vetëm disa lloje të shtrenjta termometrash me kosto gati 10 herë më të lartë se i zakonshmi që përdorej masivisht deri më tani.
Farmacistët e lidhin mungesën e termometrave me dy arsye. E para për shkak të kërkesës së lartë që ka krijuar pandemia Covid-19 për produkte farmaceutike që bëri të mbaronin rezervat dhe së dyti për disa standarde të reja që aplikohen nga BE për importin e termometrave nga Kina.
BE ka ndaluar importin e termometrit të zakonshëm me zhivë për shkak të rrezikshmërisë për shëndetin. Shqipëria po aplikon këtë standard dhe kjo ka bërë që importet e termometrit nga Kina të mos lejohen.