Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka dërguar nëpër misionet diplomatike dhe konsullore një kontingjent të flamujve me logon e UÇK-së. Dërgesa është realizuar nëpërmjet postës së shpejtë DHL. Përveç dërgesës, ministria nuk ka dhënë udhëzime se për çfarë qëllimi janë dërguar flamujt dhe ku e si do të përdoren. Kjo është konfirmuar nga përfaqësues diplomatikë, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti.
“Javën e kaluar ka arritur në përfaqësinë tonë diplomatike një flamur me stemën e UÇK-së. Por, nuk kemi pasur ndonjë udhëzim apo shpjegim se si të veprohet me të. Vetëm e dimë se ata i ka dërguar Ministria e Punëve Jashtme”, ka thënë ky zyrtar.
Disa punonjës të misioneve diplomatike e konsullore të Kosovës kanë postuar në rrjete sociale fotografi me simbolin e UÇK-së. Ministria e Punëve të Jashtme është pyetur për qëllimin e dërgimit të flamujve prej ditës së hënë, por nuk ka dhënë përgjigje. Ndërkaq, në Zyrën e Kryeministrit Avdullah Hoti thanë se nuk kanë asnjë informacion për këtë dërgesë.
“Zyra e KM nuk ka asnjë informacion për këto zhvillime. Ju lutem të komunikoni me MPJD-në për t’u siguruar nëse këto informata janë të qëndrueshme”, ka thënë Antigona Baxhaku, drejtore për Informim në Zyrën e Kryeministrit.
Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës përcakton simbolet që përdoren nga institucionet shtetërore, brenda dhe jashtë vendit.
Dërgimi i flamujve të UÇK-së në misionet diplomatike e konsullore të Kosovës është bërë disa javë pas ngritjes së aktakuzave ndaj ish-udhëheqësve të lartë të UÇK-së, të cilët dyshohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Pas arrestimit të ish-drejtuesve të UÇK-së dhe transferimit të tyre në Hagë, në Kosovë ka nisur fushata “Liria ka emër”. /KOHA.net