Mbrëmjen e sotme kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar me ambasadoren e SHBA në vendin tonë, Yuri Kim.
Takimi vijon që prej orës 19:30, ndërsa Basha dhe Kim nuk kanë qenë të shoqëruar, duke zhvilluar kështu një takim “kokë më kokë”.
Sipas të dhënave paraprake, mësohet se në këtë takim po disktohen disa çështje të aktualitetit politik, ku përfshihet dhe përfundimi i hetimeve nga ana e prokurorisë për dosjen “184”. Në këtë dosje trajtoheshin parregullsitë në zgjedhjet e pjesshme në Dibër si dhe shit-blerja e votës.
Kujtojmë se ditën e djeshme, PD reagoi përmes Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi për përfundimin e hetimeve në kuadër të dosjes “184”.
Bardhi theksoi se drejtësia nuk bëri drejtësi për dosjen “184”, duke përmendur emrat e personave që sipas tij, duhet të ishin marrë si të pandehur.
Ndërkohë, nga takimi i kreut të opozitës dhe ambasadores së SHBA nuk përjashtohen diskutimet për situatën e krijuar nga protestat për vrasjen e Klodian Rashës nga një efektiv policie si dhe plotësimi Gjykatës Kushtetuese. Deri më tani, selia blu dhe ambasada amerikane nuk kanë dhënë asnjë deklaratë në lidhje me takimin.