Opinioni bazë për mua si mjek është se në QSUT, institucionin akademik të mjekësisë shqiptare mungon drejtimi, ndërsa për lidership as që bëhet fjalë!
Që nga fillimi i epidemisë ju si drejtues nuk keni bërë asnjë dalje publike, asnjë takim me punonjësit e vijës së parë, asnjë mbështetje psiko-emocionale për stafet e riskuara, sikurse janë ekipet e urgjencave, ku punoja unë.
Ju nuk keni shpërndarë asnjë protokoll të shkruar punonjësve, për mbrojtjen nga infeksioni i covid-19. Pasojat në shëndetin dhe jetët e stafeve janë të dukshe, infektime të larta nga covid-19 të shumë punonjësve të kësaj qendre universitare spitalore, madje dhe fatalitete.
Asnjë protokoll online për trajtimin e të sëmurëve me covid-19 nuk është lançuar nga institucioni juaj z. Joti. Pasojat ishin të dukshme, konfuzion në trajtimin e të prekurve nga covid-19.
Asnjë studim të deklaruar për infeksionet spitalore, sidomos për spitalet covid, ku për fat të keq fataliteti rezulton e lartë, dhe kjo jo për faj të mjekëve.
Të mos flasim për pamjet makabre në morgun e QSUT, të cilat ju bëjnë me përgjegjësi edhe ju si drejtor i përgjithshëm.
Ju ndoshta e konsideroni sukses ndryshimin e orarit të hyrje-daljeve të vizitorëve nëpër pavione apo ndoshta vendosjen e personazheve të një kompanie digitale në urgjencën pediatrike, por nuk paguheni për këto zotëri!
Unë punoja dhe mbi orarin zyrtar, nuk kam të rregjistruar asnjë ankesë nga pacientë, nuk kam të rregjistruar asnjë theyrje etike e profesionale, kam bërë maksimumi për shëndetin e pacientëve, në territor, banesë, autoamblancë, urgjencë, pa asnjë protokoll zyrtar nga administrata jote e paaftë, por ju më shkarkuat, thjesht sepse përdora të drejtën time kushtetuese, të shenjtë, fola, kritikova!
Shqiptarët janë të sqaruar se përse më shkarkove mua, vendimi sadist, i firmosur prej teje në prag feste, është bërë viral tashmë, por sqaroi shqiptarët se përse ju z. Joti, i jeni bërë barrë taksave të shqiptarëve, ndërkohë që në institucionin akademik të mjekësisë ka mangësi kaq themelore!
Ilir ALLKJA,
përgjithmonë mjek