HomeLAJMETrump dënon dhunën

Trump dënon dhunën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i përballur me kërcënimin në rritje për largimin e menjëhershëm nga zyra, foli me një ton pajtues të enjten në mbrëmje në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, duke dënuar dhunën që ndodh më 6 Janar në Kongres.

Ai i cilësoi aktet e dhunës si një “sulm të neveritshëm” që ndoti selinë e demokracisë amerikane.

Në fjalën e tij ai u zotua se do të sigurojë një tranzicion të qetë të pushtetit tek administrata e Presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Trump tha se tani që Kongresi i ka certifikuar rezultatet e Kolegjit Zgjedhor, “administrata e re do të inaugurohet më 20 Janar” dhe se “fokusi i tij tani kthehet në sigurimin e një tranzicioni të qetë dhe të rregullt të pushtetit”.

Ndaj ngjarjeve të 6 Janarit reagoi edhe presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, i cili e përshkroi atë si një nga ditët “më të errëta” në historinë amerikane, ndërsa nuk ngurroi të fajësojë direkt Presidentin Trump si nxitës i dhunës.

Ndërkohë që ka shkuar në 5 numri i viktimave të këtyre protestave, pasi mediat e huaja raportojnë se ka ndërruar jetën edhe një oficer policie, që shërbente në Capitol Hill.

Most Popular