Kryetari i PD, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat, u shpreh se, kur e gjithë Shqipëria ishte e përmbytur, kur mijëra familje ishin në ujë e mijëra të tjera janë në çadra, ministrat e Ramës po darkonin në restorantit më të shtrenjtë në Dubai, 1 mijë dollarë bifteku.
Duke iu referuar një studimi të Birn, Basha tha se, ministrat dhe kryeministri e kanë trefishuar pasurinë e tyre gjatë qëndrimit në pushtet. Ai u shpreh më tej se, qeveria mendon vetëm për vete ku zyrtarët më të lartë të saj e kanë mendjen të konsumojnë biftekt 1mijë euro, ndërkohë që populli është në krizë ekonomike.
“Kjo është shumë e rrezikshme, shkatërrimtare për shoqërinë. Dy ditë më parë u bë publike se si kur e gjithë Shqipëria ishte e përmbytur, kur mijëra familje ishin në ujë e mijëra të tjera janë në çadra, ministrat e Ramës po darkonin në restorantit më të shtrenjtë, 1 mijë dollarë bifteku. Ndërkohë që njerëzit po shtyhen drejt krizës më të thellë ekonomike të këtyre 30 viteve.
Ata nuk kanë turp, Rama nuk ka turp, por mesa duket para kanë shumë. Po dje u publikua një raport që tregon se qeveria e Ramës ka shumëfishuar pasurinë. Anëtarët e kabinetit të Ramës kanë 3-fishuar pasurinë.
Kjo është një qeveri që mendon vetëm për veten e saj, nuk iu intereson qytetari, nuk e kanë në listë. Kjo është arsyeja pse qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit, ndërsa ministrat darkojnë me fatura të kripura. Kanë harruar se cili është misioni i qeverisë, të zgjidhë problemet e qytetarëve, jo t’i rëndojë ato.
Të dashur qytetarë, është koha për ndryshim.
Është koha që qeveritarët që abuzojnë të shkojnë para drejtësisë.
Është koha për këtë ndryshim dhe ndryshimin do ta sjellim ne”, tha Basha.