Departamenti i Antikorrupsionit në PD bëri të ditur se, më 24 dhjetor të vitit 2020, me firmën e zv. Kryeministrit, Erion Braçe është miratuar vendimi nr.1154, një fond për shpronësimin e një sipërfaqeje toke, arë dhe vreshta në zonën e Sharrës, e cila do të përdoret për ndërtimin e Inceneratorit, duke rritur kështu shpenzimet për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës me 47 milionë lekë të reja.
Bashkia e Tiranës do të duhet të shpronësojë rreth 11 mijë metra katrorë tokë vreshta dhe arë në favor të kompanisë Integrated Energy BV SPV, me qëllim ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Pronarët e pasurive të paluajtshme që do të shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, duke shtuar në listën e shpenzimeve edhe 325 milionë Lekë të reja dhe në një kohë kur ende pronarët që janë shpronësur më përpara në Sharrë, nuk kanë marrë koston e shpronësimit të tokave të tyre.
Deri tani janë evidentuar vetëm 3 pronarë si persona konkret për shpronësim, ndërkohë që 4 sipërfaqe toke janë ende pa dokumentacion, ndonëse qeveria ka parashikuar fondin për shpronësim edhe për këto prona. Kjo kosto e re që i shtohet taksapaguesve shqiptarë, vjen në një kohë kur kompania koncensionare e landfillit të Sharrës, ende nuk ka kryer asnjë investim për ndërtimin e inceneratorit, për djegien e plehrave, “ka theksuar Partia Demokratike në qendrimin e saj.