HomeLAJMELista me emra e deputetëve të PD/ kush i ka dalë Bashës...

Lista me emra e deputetëve të PD/ kush i ka dalë Bashës kundër dhe kush jo

Në gjashtë muaj Lulzim Basha ka arritur një rekord të paparë në çmontimin e partisë që drejton. Ai nuk ka humbur vetëm dy palë zgjedhjet e fundit (25 prill dhe lokalet e pjesshme), as vetëm ka përjashtuar Berishën, por ka bërë kundërshtarë plot 25 deputetë. Ndarja me Sali Berishën përpos atij vetë e divorcoi edhe nga 12 deputetë të tjerë: Luan Baçi; Luçiano Boçi; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici; Sorina Koti; Bujar Leskaj; Flamur Noka; Edmond Spaho; Agron Shehaj; Tritan Shehu dhe Albana Vokshi, Isuf Çela. Afërsisht po kaq (13) i kanë dalë kundër edhe pas humbjes së 6 marsit (poshtë te theksuara me bold emrat e deputetëve që i kanë kërkuar largimin në mbledhjen e kryesisë).

Pra sot nga ata që u zgjodhën deputetë në 25 prill, në PD, kanë dalë nga rreshti dy grupime, ata që janë pro Berishës dhe kundër Bashës dhe të tjerët që i kanë kërkuar këtij të fundit dorëheqjen.

Nga e hëna e këtej është ravijëzuar rrethi i atyre që i kërkojnë largimin.

Në mbledhjen e kryesisë Ferdinand Xhaferri mësohet ti ketë thënë: “Jam me i vjetri dhe me eksperience, s’kam ambicie por përgjegjësi për PD. Berisha s’është zgjidhje dhe e ka mbyll me PD, por ti na ke fyer kur thua skam humbur asnjë garë. Duhet te largohesh si kryetar”.

I ashpër në mbledhje ka qenë edhe Dashnor Sula“Cila është zgjidhja kryetar? Se kështu mund të na thuash përsëri. Si i jep zgjidhje? Ke përgjegjësi ti dhe ne. Nuk na beson me asnjë kështu” – ka pyetur ai.

Ndërsa Helidon Bushati ia ka plasur në sy: “Duhet zgjedhje përtej egove tona, duhet të ikësh.

Më parë Tomorr Alizoti ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike, pas rezultateve zhgënjyese të 6 marsit. I ftuar në “Radari Informativ” në ABC, Alizoti i quajti absurde justifikimet e Bashës për të mos u larguar nga PD.

“U shokova kur dëgjova që tha nuk ka humbur asnjë garë, kjo kalon në kufijtë e çmendurisë. Partia e tij ka dalë e treta. PD historikisht e ka rrezikuar mazhorancën. Unë mendoj se nuk duhet të kalojë asnjë minutë, Basha duhet të tërhiqet’, – tha Alizoti.

Edhe i sapongrituri në rolin e nënkryetarit nga Basha, Agron Gjekmarkaj ka goditur fort duke dhënë personalisht dorëheqjen.

“Në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, Partia Demokratike pësoi një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi.

Përtej çdo rrethane kundër nesh, sado të dukshme e turpëruese, ne nuk mund të akuzojmë askënd pos vetes. Çdo justifikim është i papranueshëm! Unë, prej dy muajsh jam njëri prej katër Nënkryetarëve të PD-së dhe jam i gatshëm të mbaj përgjegjësinë time.

Nuk do t’i shmangem asaj për asnjë arsye apo interes që bie në kundërshtim me vullnetin e shoqërisë dhe parimet e mia etike” – deklaroi ai.

Ndërsa Grida Duma, e cila ka ardhur duke e ashpërsuar tepër gjuhën, fajësoi direkt Lulzim Bashën për dështimin e PD- së zgjedhjet e 6 marsit.

“Është dëshpërues rezultati, në një menyrë apo një tjetër i papritur. Pa diskutim duhet të merren vendime të rëndësishme dhe përgjegjësi duke përfshirë edhe kryetarin e partisë”, – ishte mesazhi i saj.

“Ditë e tmerrshme”, – e quajti Ervin Salianji rezultatin e PD në zgjedhjet e 6 marsit.

I pyetur nëse Basha duhet të mbajë përgjegjësi për dështimin, Salianji tha: “Pa diskutim”, ndërsa një ditë më pas e goditi shumë fort.

©Lapsi.al

Most Popular