HomeLAJMEPardje u tha 'ecni në këmbë', si u dorëzua Edi Rama para...

Pardje u tha ‘ecni në këmbë’, si u dorëzua Edi Rama para presionit popullor për çmimin e naftës

“Çmimin e naftës e vendosin bursat, jo qeveria!”. Këtë përgjigje i dha Rama në “Facebook”-un e tij më 9 mars, komentuesit Adriano Dervishaj. Përgjigjen ai e shkruajti nga Dubai, ku kish shkuar bashkë me gjysmën e qeverisë për një panair, ndërkohë që shqiptarët derdheshin në rrugë në protesta për rritjen e çmimeve.

Në fakt, retorikën që “qeveria nuk mund të ndërhyjë te çmimet” Edi Rama e ka përsëritur edhe më herët. Jo pa nuanca arrogance. Kur u pyet tetorin e shkuar se pse ishte rritur çmimi i bukës, ai tha me mospërfillje se që nga koha e Skënderbeut shqiptarët s’e kishin problem bukën. “Çmimi u rrit nga taksa ruse e eksportit. Në kapitalizëm qeveria nuk vendos çmime”, argumentoi kreu i qeverisë.

Më 3 tetor të vitit të shkuar, Rama doli në një konferencë të jashtëzakonshme për të shpallur “fatkeqësinë globale dhe emergjencën kombëtare të energjisë”. Shumëkush u habit me gjuhën tejet pesimiste të kryeministrit. Ai krahasoi “problemin e energjisë” me dy “luftërat” e tjera që ishin përballur shqiptarët, tërmetin e nëntorit 2019 dhe pandeminë e koronavirusit. Në fakt, pavarësisht paralajmërimit të Ramës, dimri kaloi pa trauma. Energjia nuk mungoi dhe çmimi i saj nuk u rrit. Duke tentuar të kapitalizojë mbështetje edhe nga kjo situatë, Rama ia faturoi këtë “sakrificës së qeverisë”.

Njësoj si në rastet e mëparshme të tërmetit e pandemisë, Rama mendoi se edhe krizën e sotme të çmimeve mund ta përkthejë në mbështetje për të. Por, ndryshe nga tërmeti dhe pandemia, që ishin fatkeqësi natyrore, rritja e çmimit të karburanteve u vërtetua kryesisht një spekulim i grosistëve.

U bë virale në rrjet korrespondenca e gazetarit Taulant Koplikaj nga Kievi i luftës se çmimi i naftës atje ishte 1 euro për litër. Në Shqipëri çmimi shkoi 2.2 euro për litër dhe ekspertët argumentuan se kjo kishtë të bënte pak me luftën në Ukrainë.

Çmimi i karburanteve u rrit ngado në Europë, por askund si në Shqipëri, nga 190 në 260 lekë, pra 70 lekë ose më shumë se gjysëm euro për litër.

Populli u derdh në rrugë në protesta spontane jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe. Rezistenca dhe vërtetësia e protestës e detyroi Ramën të vijë urgjent në Tiranë dhe të lajmërojë menjëherë marrjen e masave.

Për 2 ditë ai ndryshoi qëndrim kryekëput.

Në datën 8 mars, së bashku me Ballukun ai u tall me shqiptarët duke i thënë “ecni në këmbë, mos blini bukë me X5”. Më 10 mars, me një pamje krejt të paqeshur lajmëroi se qeveria kishte vendosur të ndërhynte në treg. E pra, ja që “qeveria mund t’i vendoska çmimet”.

E vërteta qëndron diku në mes. Qeveria vërtet mund të mos përcaktojë çmimet në kapitalizëm, por sigurisht që ajo i ka instrumentat për të frenuar spekulatorët.

Protestat dhe presioni popullor dhanë efektet e para. Çmimi i naftës e benzinës u ul 20 lekë si me magji, pavarësisht se Shqipëria vazhdon të ketë karburantet më të shtrenjta në Europë.

Në mos një fitore ekonomike, kjo ishtë një “fitore politike” e protestës. Shqiptarët e detyruan kreun e qeverisë për momentin të ulet me këmbë në tokë dhe të kuptojë se ata që protestojnë nuk janë “ata me X5”.

Ata që protestojnë sot janë studentët të cilët nuk mund ta paguajnë biletën e autobusin dyfish, janë profesionistë të cilët po vajisin zinxhirët e biçikletave, sepse nuk e paguajnë dot naftën 2 euro për litër. Dhe kjo protestë, siç shihet qartë, nuk ka një prapaskenë politiko-partiake.

Kjo është një protestë “bio” që ndoshta nuk do ta rrëzojë qeverinë, por së paku do ta detyrojë atë të dëgjojë zërin e popullit të thjeshtë./ GSH

Most Popular