Agjencia ruse e hapësirës ka hedhur poshtë pretendimet se tre kozmonautë rusë “hipën” në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës të veshur me rroba me ngjyra të flamurit ukrainas, në një “shfaqje të mundshme kundër luftës”.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, të ardhurit e parë që nga fillimi i agresionit u shfaqën të veshur me kostume të verdha dhe me stoli blu.

Ata u pritën ngrohtësisht në bord, duke u përqafuar dhe përshëndetur me ekuipazhin amerikan, rus dhe gjerman.

“Ndonjëherë e verdha është thjesht e verdhë”, tha agjencia hapësinore Roscosmos.

ISS është një projekt i përbashkët midis Rusisë, Amerikës, Kanadasë, Japonisë dhe disa vendeve evropiane.

Ai udhëhiqet nga një partneritet SHBA-Rusi që ka vazhduar për dy dekada megjithë tensionet e luhatshme midis dy fuqive botërore.

Kozmonautët rusë Denis Matveyev, Oleg Artemyev dhe Sergey Korsakov u ankoruan në ISS pas një fluturimi tre orësh që u nis nga një objekt në pronësi ruse në Kazakistan.

Uniforma ruse standarde është blu e thjeshtë dhe të paktën një nga burrat është parë duke e veshur këtë para se të ngrihej.

Momenti u transmetua drejtpërdrejt nga Roscosmos dhe NASA, agjencia amerikane e hapësirës. /Telegrafi/