Sulme ajrore në një shkollë arti dhe një maternitet. Pallate me civilë që goditen nga tanket. Më shumë se 900 civilë të vrarë brenda pak javësh. Këto janë pamjet dramatike që vijnë nga Ukraina.
Por a është presidenti rus Vladimir Putin një kriminel lufte?
Pushtimi i paprovokuar dhe brutal i Ukrainës nga Rusia ka bërë që shumë nga liderët perëndimorë të përdorin terma të ashpër kundër presidentit rus.
Kujtojmë këtu edhe deklaratën e Biden, se Putin është një kriminel lufte. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të dielën nuk shfaqi ndonjë shqetësim lidhur me efektet që komentet e Biden do të shkaktonin në bisedimet me Rusinë.
Por komentet e Biden përcaktuan një moment të rëndësishëm, pasi deri në atë çast zyrtarët e Perëndimit e kishin shmangur përdorimin e termit “krime lufte” për gjithçka që po ndodh në Ukrainë, duke pritur hetimet lidhur me situatat e dyshuara. Por menjëherë pasi Presidenti shqiptoi fjalët “Unë mendoj se ai është një kriminel lufte”, gazetarët u gjendën përballë një situatë të papritur, ndërsa për këtë çështje, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, tha se ai koment ishte një koment “zemre”. Zyrtarë të tjerë përdorën të njëjtën gjuhë të ngjashme.
“Kur flet nga zemra, flet si njeri dhe po sheh atë që të gjithë kemi parë, këto imazhe të tmerrshme në TV, goditje ruse në një maternitet në Mariupol, sulme kundër ndërtesave me civilë, kundër shkollave, është e vështirë të mos e quash ashtu”, tha më vonë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price për CNN. Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se ai “personalisht” ishte dakord me etiketimin e Biden për Putin.
Ndërsa termat si “krime lufte” dhe “kriminel lufte” përdoren shpesh në bisedë, ato kanë një përkufizim ligjor që mund të përdoret në ndjekje penale të mundshme.
Çfarë janë krimet e luftës?
Sulmet ndaj civilëve: Civilët nuk mund të sulmohen qëllimisht, as infrastruktura që është jetike për mbijetesën e tyre. Disa armë janë të ndaluara për shkak të vuajtjeve të tmerrshme që shkaktojnë, të tilla si minat tokësore dhe armët kimike ose biologjike. Të sëmurët dhe të plagosurit duhet të jenë nën kujdes, përfshirë dhe ushtarët e lënduar, të cilët kanë të drejta si robër lufte.
Ligjet e tjera ndalojnë torturën, gjenocidin, si dhe përpjekjen e qëllimshme për të shkatërruar një grup të caktuar njerëzish. Veprat e rënda gjatë luftës, si vrasja, përdhunimi ose persekutimi masiv i një grupi, njihen si “krime kundër njerëzimit”.
Cilat ngjarje konsiderohen si krime lufte nga Ukraina?
Ukraina ka deklaruar se sulmi ajror rus në repartet e maternitetit dhe në ato të fëmijëve në Mariupol, ishin një krim i mirëfilltë lufte. Për shkak të situatës, autoritetet lokale në qytetin e Mariupolit ishin të detyruar të hapnin një varrezë masive. Ka pasur gjithashtu njoftime se trupat ruse kanë shënjestruar civilët ukrainas që po largoheshin nga vendi për t’i shpëtuar dhunës së ushtarëve rusë. Ka prova edhe se bomba thërrmuese, municione që ndahen në shumë bomba, kanë goditur zonat civile në Kharkiv.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, thotë se Rusia ka përdorur eksploziva termobarikë, të cilët krijojnë vakume masiv duke thithur oksigjen. Këta eksploziva shkatërrues nuk janë të ndaluar, por përdorimi i tyre i qëllimshëm pranë civilëve sigurisht që do të shkelte rregullat e luftës.
Sipas një studimi të CIA-s, të vitit 2000, efektet e shpërthimit të një arme termobarike në hapësira të kufizuara janë të jashtëzakonshme. Personat pranë pikës së shpërthimit, praktikisht shpërbëhen. Ata që ndodhen më në skaj, përjetojnë një sërë dëmtimesh të brendshme: shpërthim të timpaneve të veshëve, shtypje të organeve, kontuzione të rënda, çarje të mushkërive dhe organeve të tjera, dhe verbëri. Një pjesë e viktimave vdesin nga asfiksia, si pasojë e mungesës së oksigjenit në zonën e impaktit, i cili digjet nga reaksioni kimik i shpërthimit.
A mund të ndiqet penalisht Presidenti Putin ose udhëheqësit e tjerë rus?
Është shumë më e lehtë të identifikosh një krim lufte të kryer nga një ushtar, sesa liderët që urdhërojnë ekzekutimin e këtyre krimeve makabre. Gjithsesi, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të ndjekë penalisht edhe për veprën penale: “Kryerja e një lufte agresive”. Kjo akuzë nënkupton se kemi të bëjmë me pushtimin apo konfliktin e pajustifikuar të një vendi.
Mirëpo, profesor Philippe Sands, një ekspert për të drejtën ndërkombëtare në Kolegjin Universitar të Londrës, thekson edhe njëherë faktin se është e vështirë të ndjekësh penalisht liderët e Rusisë, sepse vendi nuk është nënshkrues i Gjykatës. Në teori, siç shpjeguam edhe më lart, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, mund t’i kërkojë Gjykatës Penale të hetojë këtë vepër, por Rusia mund të vërë veton ndaj kësaj, si një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit.
Ndaj në një situatë të tillë, për Profesor Philippe Sands, efektiviteti i Gjykatës Penale nuk varet vetëm nga traktatet, por nga politika dhe diplomacia. Sands dhe shumë ekspertë të tjerë, argumentojnë se ashtu siç u bë në Nuremberg, zgjidhja qëndron te diplomacia dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Ai u bën thirrje liderëve botërorë që të krijojnë një gjykatë të vetme për të ndjekur penalisht krimin e agresionit dhe pushtimit në Ukrainë.
Sa kohë zgjasin hetimet e krimeve të luftës?
Hetimet në Gjykatën Penale Ndërkombëtare zgjasin shumë vite dhe vetëm një pjesë e vogël e dënimeve janë fituar. E thënë ndryshe, mund të kalojë shumë kohë përpara se komentet e Biden për Putin të kenë ndonjë peshë ligjore.
Gjykata gjykon njerëz, jo vende, dhe fokusohet tek ata që mbajnë përgjegjësinë më të madhe: udhëheqësit dhe zyrtarët. Megjithatë, GJNP nuk kryen gjykime në mungesë, kështu që Putin ose do të duhej të dorëzohej nga Rusia, ose të arrestohej jashtë Rusisë. Kjo duket e pamundur.