Orlando Rakipi, djali deputet i Aqif Rakipit, ka folur menjëherë pasi babai i tij u shpall “non-grata” nga SHBA, shkruan neësbomb.al. Në hyrje të Kuvendit, ai e ka quajtur lajmin “një gjëmë” për familjen.
“Jam pro-amerikan. Babai im pro ashtu. Nuk e di çfarë lloji vendimi është ai. S’na ka ndodhur kurrë ajo gjëmë në familjen tonë. Babai im është super i pastër. Mund t’i shikoni akuzat. Nuk e kuptoj, s’kemi lidhje”, tha djali i Rakipit.
I pyetur nga gazetarët nëse ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen, Orlando Rakipi tha “Jam i gatshëm. Është skandaloze. Nuk di çfarë të them tjetër.”
Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur “non-grata” ish-deputetin e PDIU në Elbasan, Aqif Rakipi, si dhe biznesmenin e njohur dhe pronarin e mediave Ylli Ndroqi. Sipas DASH, Rakipi është përfshirë në ndikim të dëmshëm në politikë, i implikuar me grupe të krimit të organizuar që kanë blerë vota duke ofruar para, dhurata duke premtuar vende pune në këmbim të votave.
Ndërsa për biznesmenin Ndroqi, DASH thotë se “ka shfrytëzuar mediat që më parë kanë qënë nën kontrollin e tij për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media”.