HomeLAJMEDëshmitari rrëfen ngjarjen: “Deti u bë i kuq, babai i vajzës luftoi...

Dëshmitari rrëfen ngjarjen: “Deti u bë i kuq, babai i vajzës luftoi me skafin”

Një Shqipëri e tërë u trondit nga vdekja e një vogëlusheje të pafajshme në Potam të Himarës, pasi kishte ardhur në atdhe me familjen për pushimet e verës.

Jonada Avdia mbylli sytë përgjithmonë në moshën 7-vjeçare pasi u godit nga skafi të cilin e drejtonte polici Arjan Tase.

Deti u përgjak, ndërsa pranë vajzës në momentet e fundit ishte i ati. Një dëshmitar ka rrëfyer ngjarjen për “Euronews”, duke treguar se babai i Jonadës ka luftuar me skafin për të shpëtuar vajzën e tij.

“Isha me dy miqtë e mi dhe po konsumonim një kafe rreth 10 metra larg vendit të ngjarjes, në breg të detit, kur një skaf është afruar shumë pranë bregut. Personi është afruar me skafin e tij, ka qenë një skaf i madh i bardhë, me dy motor të fuqishëm dhe është afruar shumë afër bregut të detit. Bregu i detit ka qenë plot me pushues të tjerë, kanë qenë shumë fëmijë, shumë prindër të cilët ishin bashkë me fëmijët e tyre po laheshin në një thellësi jo më shumë se 1 metra, shumë pranë bregut. Kjo është një zonë që gumëzhin nga lojërat e fëmijëve, është një zonë e frekuentuar shumë nga fëmijët.

Në momentin e afrimit të gomones, personi së bashku me një grua tjetër e cila ishte me rroba banjo të zeza, po priste 5 apo 6 persona të cilët do t’i hipnin skafit. Në ato momente, pasi këta persona kanë hipur, personi ka tentuar të bëjë mbrapa, të zmbrapset nga bregu dhe në atë moment ne u alarmuan. Miku im u ngrit me vrap për të shkuar. Të gjithë pushuesit i bërtitën skafistit të ndalonte, sepse në atë momente që ai bëri mbrapa dhe u vu paralel me bregun e detit të gjithë fëmijët dhe njerëzit u lemeritën. Sepse skafi me këtë lëvizje i kaloi sipër pushuesve dhe njerëzve që po notonin aty. Skafi i kaloi sipër dhe babait të vajzës.

Të gjithë po i thonim stop por personi nuk na dëgjoi. Ai ishte dhe momenti fatal, momenti i dytë kur nga paralel nga bregu i detit bëri një manovër si xhirim gomash. Ajo manovër u bë me shumë gjakftohtësi dhe menjëherë sa skafi filloi të bënte atë manovër shumë të shpejtë, me një fuqi shumë të madhe motorike, aty pamë që deti filloi të bëhej i kuq i gjithi. Njerëzit të gjithë vrapuan dhe tentuan ta tërhiqnin skafin drejt bregut se ai person ishte aq gjakftohtë sa tentoi të largohej, edhe pasi kishte goditur vajzën. Pas kësaj pashë babain që nxori vajzën, trupi i saj ishte i sakatuar. Nuk do më hiqet kurrë nga mendja ai imazh.

Babai i vajzës ishte në det, babai i vajzës luftoi me skafin. E shihnim kokën e babait që shkonte anash skafit, njëherë nga ana tjetër e skafit. Me sa pamë ne ishte babai i vajzës ai i cili e nxorri.”

Most Popular