HomePolitikë7 Marsi, PD: Drejtimi i shkollave në duart e militantëve të partisë...

7 Marsi, PD: Drejtimi i shkollave në duart e militantëve të partisë po sjell degradimin e arsimit

Drejtuesja e departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula në kuadër të festës së mësuesit ka mbajtur një deklaratë për mediat ditën e sotme. Suli gjatë fjalës së saj u shpreh se buqetat e 7 Marsit janë shprehje e mirënjohjes ndaj figurës së mësuesit.

- Advertisement -

Ajo më tej u shpreh se të jesh mësues sot do të thotë që pas 6 vite studimesh madje edhe kur diplomohesh me notën 10, të ngel portali i partisë. Sula më tej tha se drejtimi i mësuesve dhe shkollave mbetet në dorë të militantëve dhe funksionarëve të strukturave të partisë socialiste. Gjithashtu ajo shtoi se qeveria gjatë këtyre 11 vitsh nuk e ka pasur prioritet arsimin dhe nuk e ka vlerësuar mësuesin.

Fjala e plotë:

- Advertisement -

Buqetat e 7 Marsit janë shprehje e mirënjohjes për çdo buqetë të bukur jetësh që vit pas viti ushqehen me kurajë dhe frymëzim prej figurës së Mësuesit. Profesioni që krijon gjithë profesionet sot e ka humbur dritën që e udhëheq mësuesin në mësimdhënie në klasë e në shkollë, në komunikim me fëmijët e kolegët, sepse prej vitesh mësuesi nuk gëzon statusin e misionarit të ndriçimit të brezave dhe emancipimit të shoqërisë.

Të jesh mësues sot, do të thotë që pas 6 vite studimesh, madje edhe kur diplomohesh me notën 10, të ngel portali i partisë. Kjo sepse përzgjedhja nuk bazohet në meritokraci, sepse qeveria sot i kontrollon politikisht mësuesit më shumë edhe se në vitet e fundit të diktaturës, madje, deri tek rrjetet sociale. Drejtimi i mësuesve dhe shkollave mbetet në dorë të militantëve dhe funksionarëve të strukturave të partisë socialiste; të ngel portali i partisë, sepse, edhe kur fitohet në gjykatë e drejta e rikthimit në profesion, pasi të kanë pushuar nga puna, patronazhistët nuk ta njohin të drejtën e ushtrimit të mësuesisë dhe të heqin nga sistemi.

Gjatë këtyre 11 viteve, kjo qeveri nuk e ka pasur prioritet arsimin dhe nuk e ka vlerësuar mësuesin, çka duket qartë në mashtrimin për buxhetin 5% të PBB për arsimin, që i pati premtuar mësuesve, që në fakt është vetëm 2,3% -buxheti më i ulët në rajon, i ngjashëm me vendet e botës së tretë. Kjo duket qartë në pagën përçmuese që marrin mësuesit tanë – pagën më të ulët në rajon e të pakrahasueshme me vendet e BE-së, në trajtimin pa dinjitet njerëzor e profesional, sa shpesh mësuesit denigrohen e përdoren për të mbushur sallat e takimeve politike të partisë shtet.

Te gjitha keto shenja u dukën qartë pas rezultateve rrënuese të testimit ndërkombëtar PISA, që pasqyroi gremisjen e thellë të arsimit, për të cilën jo vetëm që institucionet përgjegjëse nuk u shprehën publikisht e nuk njohën asnjë përgjegjësi, por e drejtuan gishtin tek mësuesi, sepse liria e mësuesve nuk ekziston më për të shprehur dhe kërkuar të drejtat e tyre dhe, për më tepër, mësuesin mund ta mbash nën presion.

Arsimi i të gjitha niveleve po degradon me shpejtësi dhe këtë rrokullimë bashkë me nxënësit e jetojnë çdo ditë mësuesit, një pjesë të të cilëve i kanë nxjerrë nga sistemi e të tjerë rrezikojnë të dalin për shkak të shpopullimit masiv, uljes së numrit të nxënësve nëpër klasa. Mësuesit detyrohen të plotësojnë sistemin SMIP pa pasur kompjuterë, laptopë, tabletë, pa pasur laboratorë smart, sepse me gjithë tam-tamet e qeverisë për infrastrukturë digjitale, ajo mungon. Mësuesit i kërkohet sot të plotësojë pa fund shkresurina e formularë, duke ia devijuar misionin nga ai diturimit të nxënësve në atë të burokratit.

Profesioni i mësuesit, profesioni më fisnik për misionin e formimit dhe emancipimit kombëtar, gjatë këtyre viteve, është dega e studimit më pak e kërkuar nga maturantët, madje kërkohet nga maturantët me mesatare më të ulët. Degët e studimit që diplomojnë mësues për ciklin fillor, mësuesit e klasës së parë, figura aq të dashura që qëndrojnë në kujtesën e gjithsecilit, janë thuajse të mbyllura, sepse nuk ka studentë. Degët e studimeve që diplomojnë mësues të shkencave ekzakte dhe humane ne universitete rajonale janë drejt mbylljes, sepse nuk ka studentë. Rreth 100 degë studimi në universitete rajonale gjenden në prag të mbylljes, 80 prej të cilave diplomojnë mësues, gjë që së shpejti do të përballemi me mungesën e mësuesve për lëndët e shkencave ekzakte dhe ato humane, si dhe me mungesën e mësuesve të ciklit të ulët etj. Vetëm gjatë viteve të fundit, vendit tonë i mungojnë afro 9 000 mësues në arsimin parauniversitar.

Kjo qeveri i mashtroi mësuesit e ardhshëm ende pa filluar studimet; këtë vit akademik, qeveria ia mohoi bursën studentëve që ndjekin degë të mësuesisë, duke i dhënë atyre, pa hyrë ende në udhën misionare të këtij profesioni, leksionin më të mbrapshtë për të mos u bërë mësues. Figura dhe statusi i mësuesit është bjerrë dhe ka rënë, sepse ka rënë e vërteta dhe kur ndodh kjo, do të thotë se ka rënë gjithçka. E vërteta, arsimi, Shqipëria, duhen shpëtuar dhe qeveria duhet rrëzuar. Ky është misioni i nxënësve dhe mësuesve të këtij vendi: O sot, o kurrë!

Më të lexuarat