Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i mbështetur edhe nga Bashkim Fino, ka nisur një valë sulmesh kundër organeve të Vetingut, sidomos ndaj Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në shenjë hakmarrje, pas shkarkimit të shoqes Donika Prela për pasuri të paligjshme. Manja shfrytëzoi diskutimet për buxhetin për të shprehur mllefin e akumuluar kundër KPA për shkak të shkarkimit të Prelës. Kjo e fundit ishte pjesë e një klani me Arta Markun dhe Anita Jella, nën patronazhin e Manjës. Në sulmet e tij, Manja tërhoqi edhe Bashkim Finon, i cili u ndal gjatë tek pagat e anëtarëve të KPA dhe KPK. Manja si kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe Fino si relator rrëzuan të gjitha kërkesat për shtim pagash për vështirësi dhe shtim punonjësish, në mbledhjen e datës 9 nëntor 2020.
Komisionet e Vetingut kërkonin 21 këshillarë ligjorë dhe ekonomikë shtesë. Pas refuzimit nga Manja dhe Fino, KPA dhe KPK vunë në lëvizje Edi Ramën. Ky i fundit urdhëroi Ministrinë e Ekonomisë, Komisionin e Ekonomisë dhe Komisionin e Ligjeve të plotësonin kërkesat. Pas këtij urdhri, Komisioni i Ligjeve u mblodh edhe një herë sot për të miratuar atë që kishte rrëzuar në 9 nëntor. Kjo mbledhje ishte poshtëruese për Ulsi Manjën para përfaqësuesve të organeve të Vetingut, pasi duhet të justifikonte zbythjen që i bëri Rama.
Gjatë mbledhjes së sotme, Manja u shpreh se: “Është e vërtetë ajo që tha z. Fino që në Komisionin e Ligjeve, komision përgjegjës, nuk janë mbështetur kërkesat e këtyre dy institucioneve, për arsye se në vlerësimin e Komisionit, kërkesat nuk kanë qenë të arsyetuara. Nga pikëpamja e trajtimit në Komision, Komisioni i Ekonomisë, do të duhej të merrte në konsiderratë edhe argumentet e Komisionit të Ligjeve. Gjithsesi, meqenëse qeveria shqiptare e ka prioritet mbështetjen buxhetore për organet e Vetingut, ne do ta kalojmë këtë ndryshim në strukturën e këtyre dy institucioneve, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të heshtim për punën e këtyre institucioneve. Në dy vjet kanë marrë vetëm 2.9 vendime në muaj. Nuk besoj se është mungesa e numrit prej 6 apo 9 këshilltarësh që ka prodhuar këtë rendiment në punën e organeve të Vetingut. Në dy vite janë 140 apelime, në mos gaboj, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, nëse e kam të saktë nga mbledhja e fundit e Komisionit. Janë shqyrtuar dhe janë dhënë 70 vendime, i bie gati 2.9 vendime në muaj. Unë uroj që me këtë shtesë në strukturë të rritet volumi i punës së KPA në drejtim të vendimmarrjes, në zbatim të ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri. Të mos harrojmë se janë lekë që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Dhe siç kemi të drejtën për të kërkuar mbështetjen buxhetore për punonjësit, e njëjta llogaridhënie duhet të jetë edhe për detyrat që keni marrë përsipër. Gjithsesi, unë dua të hedh në votim projektvendimin”.
Përballë këtij justifikimi të Manjës, përfaqësuesit e KPA dhe KPK paraqitën edhe një herë argumentet që kishin deklaruar herën e kaluar për shtimin e numrit të këshilltarëve.
Nga ana tjetër, Bashkim Fino, ndryshe nga Ulsiui qëndroi deri në fund linjës së tij./