Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka vendosur që të shpenzojë deri në 30 mijë euro për zbukurimet e qytetit, ndërkohë që këto para shumë mirë mund tu shkonin njerëzve në nevojë, që po goditen fort nga pandemia. Por çfarë rëndësie ka kjo për Kryebashkiakun e Vlorës. Dritan Leli, pasi përfundoi mobilimin e zyrave të veta dhe vartësve të tij, tashmë i ka ngelur merak zbukurimi i qytetit.
Kreu i Bashkisë bëhet qesharak teksa tenton tu mbushë mendjen njerëzve për arsyet e zhvillimit të tenderit. Sipas tij, projekti ka si synim afrimin e njerëzve me njëri-tjetrin, ndërkohë që prej pandemisë duhet të ruhet distanca.
“Ky projekt paraqet krijimin e një atmosfere festive me zbukurime të veçanta dhe impresionuese duke i dhënë qytetit një pamje tërheqëse dhe të gëzueshme. Atmosfera i sjell njerëzit më pranë njërit –tjetrit dhe transmeton Shpirtin e Festës”.
Por budallallëku vazhdon edhe më poshtë, ku sipas Dritan Lelit, fondi prej 30 mijë eurosh do shërbejë edhe për procesin e heqjes së zbukurimeve në qytet pas festave dhe futja e tyre nëpër kuti, ndërkohë që ka një ndërmarrje në Bashki që merret me këto çështje.
“Gjithashtu, pjesë e kontratës do të jenë dhe proceset e montimit, çmontimit dhe ambalazhimit, duke përfshire edhe elementet e ndryshëm ndihmës të secilit proces. Materialet do të përdoren për zëvendësim dhe riparime të dekorit ekzistues”.
Në fakt Kreu i Bashkisë shumë mirë mund ta zbukuronte qytetin me materialin ekzistues, nuk ishte nevoja që në kohë pandemie të shpenzonte plot 30 mijë euro.
“Realizimi për festat e fundvitit 2020 do të ketë për bazë shumicën e materialeve që janë përdorur në vitet 2018-2019. Gjithashtu është planifikuar sasia dhe llojet e fishekzjarrëve që do të hidhen natën e ndërrimit të viteve”, thuhet në arsyetimin./Pamfleti