Lindita Nikolla u zgjodh ministre e Arsimit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe e ushtoi detyrën deri në dhjetor 2018, kur u largua nga qeveria pas protestave maratonë të studentëve.
Lindita Nikolla ka përfunduar studimet për Matematikë në fakultetin e Shkencave të Natyrës në vitin 1989 si dhe studimet Mastër për Administrim Publik në universitetin jo-publik, Albanian University.
Znj. Nikolla është përfshirë në politikë në vitin 2003 si këshilltare e Këshillit të njësisë bashkiake nr. 1 në Tiranë dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2007 u zgjodh si kryetare e kësaj njësie për dy mandate radhazi.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së ish-ministres Lindita Nikolla nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e anëtarëve apo ish-anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020.