Apple ka vendosur të ndalojë të gjitha shitjet e produkteve të saj në Rusi për shkak të luftës me Ukrainën të nisur nga presidenti Putin.
Gjiganti i teknologjisë ka zgjedhur gjithashtu të kufizojë shërbimet e Apple me pagesë dhe aplikacionet e lajmeve, të tilla si RT News dhe Sputnik News të cilat “nuk janë më të disponueshme për shkarkim nga App Store jashtë Rusisë”.
Si trafiku ashtu edhe incidentet live në Apple Maps janë çaktivizuar në Ukrainë “si një masë sigurie dhe paraprake për qytetarët ukrainas”.
Pas një letre të hapur dërguar CEO të Apple, Tim Cook nga zëvendëskryeministri i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, kompania vendosi të ndërmarrë veprime kundrejt Rusisë.
Në deklaratën e plotë të Apple thuhet: “Jemi tejet të shqetësuar për pushtimin rus të Ukrainës dhe jemi në krah të të gjithë njerëzve që po vuajnë si pasojë e dhunës. Ne po mbështesim përpjekjet humanitare, po ofrojmë ndihmë për krizën e refugjatëve dhe po bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur ekipet tona në rajon. Ne kemi ndërmarrë një sërë veprimesh në përgjigje të pushtimit. Ne kemi ndërprerë të gjitha shitjet e produkteve në Rusi. Javën e kaluar ndaluam të gjitha eksportet në kanalin tonë të shitjeve në vend. Apple Pay dhe shërbimet e tjera janë kufizuar. RT News dhe Sputnik News nuk janë më të disponueshme për shkarkim nga App Store jashtë Rusisë. Kemi çaktivizuar trafikun dhe incidentet e drejtpërdrejta në Apple Maps në Ukrainë si një masë sigurie dhe paraprake për qytetarët ukrainas. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë situatën dhe jemi në komunikim me qeveritë përkatëse për veprimet që po ndërmarrim. Ne bashkohemi me të gjithë ata në mbarë botën që bëjnë thirrje për paqe.”
Mbetet e pacilësuar se sa nga të ardhurat vjetore të vlerësuara prej 365 miliardë dollarësh (274 miliardë £) të Apple vijnë nga Rusia, raporton LadBible.