Lulzim Basha do të përballet këtë të shtunë me grupin parlamentar të Partisë Demokratike, ku mbi 33 syrësh kanë kërkuar publikisht dorëheqjen e tij.
Nëse dorëheqja refuzohet, atëherë kreut të PD-së do t’i dorëzohet një dokument përmes të cilit grupi parlamentar, nëse mbledh firmat e shumicës së tij e përjashton nga vetë grupi, por edhe nga drejtimi i Partisë Demokratike.
Përjashtimi nuk bazohet në statutin e PD-së, por me arsyetimin se grupi parlmentar mban tagrin e përfaqësuesit më të gjerë elektroral dhe atij më të lartë institucional.
“Tagër që derivon nga vota e drejtpërdrejt e 622 mijë zgjedhësve shqiptarë, që ka përgjegjësinë të marrë masa, që veprime të tilla të kryetarit të Partisë Demokratike, që njëherazi është edhe deputet anëtar i grupit parlamentar të mos vazhdojnë që të cenojnë interesat dhe objektivat politike dhe elektorale të Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar të saj në funksion të qëllimit dhe interesit publik për forcimin e demokracisë dhe mirëqeverisjes në vend, duke siguruar rotacion politik në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe parlamentare”, thuhet në dokument.
Dokumenti është firmosur nga disa deputetë dhe u është dorëzuar edhe të tjerëve për ta firmosur brenda mesditës, kur Basha do të thërrasë takimin me grupin parlamentar. Numri i besnikëve që i kanë mbetur Bashës në grupin parlamentar është katandisur në një grusht prej 5-6 deputetësh, ndërsa pjesa tjetër, ose i kanë dalë hapur me kërkesën për dorëheqje, ose në mënyrë më të moderuar e kanë kërkuar këtë dorëheqje.
Mes atyre që i kanë dalë hapur për dorëheqjen hapur janë edhe Grida Duma dhe Jorida Tabaku, dy emrat që Basha i gradoi nënkryetare pas nisjes së përplasjes me Berishën, madje Duma ishte dhe brenda selisë së PD-së më 8 janar, ku denonconte me video-selfie ‘se si dhuna e foltores po kërcënonte demokratët e vërtetë’.
Përveçse i kanë dalë kundër, si Duma ashtu edhe Tabaku nuk e kanë fshehur ambicien për të zënë karrigen e Bashës. Por, a mund të jenë ato përfaqësueset dhe mbajtëset e flamurit më të madh të opozitës?
Rekordi politik i tyre na sugjeron që jo. Tabaku sapo përmbylli me dështim punën si drejtuese e komisionit hetimor parlamentar për inceneratorët, ku raporti përfundimtar u votua nga vetëm 27 deputetë.
Pra, ajo nuk siguroi dot as votat e vetë grupit parlamentar të PD-së, madje as të vetë anëtarëve të komisionit hetimor, si Belind Këlliçit, Edmond Spahos dhe të Ina Zhupës. Nisur nga ky rezultat, Jorida Tabaku më shumë se një figurë përbashkuese e PD-së do ta përçante edhe më tej këtë parti.
Emri tjetër është ai i Grida Dumës. Testin e vet, Duma e ka kaluar në 2015-n, kur ishte kandidate për Bashkinë e Durrësit dhe regjistroi një prej rezultateve më të dobta historike të PD-së në këtë qytet. Duma mori 42 mijë vota, ose rreth 14 mijë vota më pak se Vangjush Dako i PS-së.
Megjithatë, disfata e 2015-s nuk është i vetmi dështim i saj. Dështimet e tjera të ish-nënkryetares së Bashës lidhen me moralin politik. Ajo u rreshtua shpejt në krah të Lulzim Bashës dhe ishte një prej kamikazeve të tij në studiot televizive, edhe me deklarata që “le të shkrihet PD, por Basha mos të ikë e Berisha mos të vijë më”.