HomeLAJMEZbulohet ditari sekret i Enverit: Haxhi Lleshi e teproi me lidhjen intime...

Zbulohet ditari sekret i Enverit: Haxhi Lleshi e teproi me lidhjen intime me sekretaren! Ka marrëdhënie seksuale edhe me mbesën e Myslim Pezës! Ajo thotë lartë e poshtë se…

Mirëpo mënyra si riprodhon historinë dhe trajton ngjarjet e së kaluarës, për Enver Hoxhën janë të papranueshme, madje siç vëren ai, ato zbehin edhe vetë figurën e Myslimit dhe sidomos kontributin e tij në Luftën Nacionalçlirimtare. I vëmendshëm ndaj kujtimeve të bashkëpunëtorëve, diktatori fund e krye përpiqet ta ketë në kontroll tërë procedurën e zbardhjes së tyre. Pikërisht këtë ua beson redaktorëve më të mirë të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, të cilët shërbejnë si filtri i botimeve të kësaj natyre. Në rastin e kujtimeve të Pezës, ata ndërhynë në kohë, duke sugjeruar se janë përçartje apolitike dhe si të tilla duhet kthyer mbrapsht.

Enver Hoxha bashkohet me mendimet e tyre dhe aty për aty kujtohet për t’iu rikthyer sjelljes së ish-bashkëpunëtorit të dikurshëm, i cili mund t’i sillte probleme të paparashikuara. Ajo që konstaton është kritike. Myslim Peza, por edhe bashkëpunëtori tjetër Haxhi Lleshi, nuk janë ata që ka propaganduar Partia, por njerëz me karakter të dyzuar, me qëndrime jo parimore e sjellje negative.

Gjithsesi, Enver Hoxhës që i ka zhdukur të gjithë protagonistët e luftës, në rastin e tyre i duhet të bëjë lëshime, së paku për t’i lënë të vdesin ashtu si janë njohur, me të mirat dhe të këqijat e tyre. Shënimet në vazhdim në ditarin e diktatorit flasin për skandalet e Presidentit Lleshi dhe aventurat e këtij të fundit me personelin e institucionit…

E MARTË 22 QERSHOR 1982
Me këtë “çështje të Myslim Pezës” plekset njëkohësisht edhe çështja e Haxhi Lleshit. Nga gjumi i rëndë ku kish rënë, pas vetëvrasjes së armikut Mehmet Shehu, u zgjua edhe Haxhiu (Lleshi). Gruaja D.S me biografi të mirë, nëpunëse në Presidiumin e Kuvendit Popullor, na është bërë sekretare e Haxhiut, por ky e ka tepruar me të, siç flitet midis nëpunësve të Presidiumit të Kuvendit, të cilët po i shkruajnë Komitetit Qendror të Partisë, që “të pengohet ky skandal”.

Por e keqja mbi të këqijat është se kësaj i është rritur aq shumë mëndja, sa po ngatërron gjithë aparatin, duke bërë atje “ligjin” në emër të Presidentit. Por çfarë ligji? Ajo është kthyer në një provokatore pa kufi, flet keq për udhëheqjen kryesore të Partisë dhe arrin deri atje sa t’i thotë një shoku komunist që punon në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, dhe është ky që i shkruan këtë Komitetit Qendror të Partisë se “Kur të vdesë Enver Hoxha, fuqinë do ta marrë Haxhi Lleshi”.

Është e qartë se këto veprime të rrezikshme janë muhabetet që ia bën asaj Haxhi Lleshi, të cilit e pakta që mund t’i themi është se Haxhi plakut i ka hipur në kokë marrëzia dhe “ç’i ka barku, ia nxjerr bardhaku”. Kjo është një. E dyta: Siç duket, Haxhi Lleshi ia futi edhe Myslimit këtë grua që t’ia regjistronte kujtimet për të parë çfarë pohon ky për periudhën kur ishte i internuar në Jugosllavi. Ç’flet për Haxhinë, për babanë dhe xhaxhallarët e tij me Aqif Lleshin? Haxhiu (Lleshi) pa se në këto kujtime ai dhe familja e tij po komprometohej me jugosllavët nga ana e Myslimit (Pezës). Haxhiu nuk ia kthente këto shkrime Myslimit deri sa ky u zemërua dhe u detyruam D.S t’ia dorëzonte.

Është e qartë për ne se Haxhiu u vu në pozita të vështira nga shoku i tij i vjetër, prandaj krijoi një intrigë të re, thelbi i së cilës mund të jetë i vërtetë. Në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor punon edhe një grua tjetër, që është mbesa e Myslim Pezës. Kjo me siguri duhet t’i ketë treguar Myslimit për marrëdhëniet e Haxhiut me D.S. dhe ambiciet, xhelozitë e këtyre dy grave janë bërë problem në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Pas çështjes së regjistrimit të kujtimeve të Myslimit, Haxhi Lleshi përpara shokëve anëtarë të Komitetit Qendror që punojnë në Presidium të Kuvendit Popullor, Spiro Kolekës, Shefqet Peçit dhe Xhafer Spahiut, ngre çështjen: të përjashtohet nga aparati i Presidiumit një punonjës i Presidiumit dhe mbesa e Myslim Pezës, pse kanë marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin” . Shokët i kërkojnë Haxhiut të japë fakte, po ky nuk dëgjon të japë dhe flet në mënyrë provokative se “duhet bërë kështu si them unë”. Shokët e refuzojnë propozimin e tij dhe Haxhiu, “shoku President” u thotë: “Dua të shtrohet ky problem në organizatën bazë të partisë”. Këtë skandal e mori vesh Myslim Peza, i cili thirri Xhafer Spahiun dhe i tha se “po e bëri Haxhiu këtë, më ka turpëruar mua, dhe unë do të pres çdo marrëdhënie me të”.

Haxhiu i thotë Partisë “shkel brezin që po të lëshoj” dhe të bëhet skandal. I bën njëkohësisht shantazh edhe Myslim Pezës, që edhe ky nga ana e vet e kërcënon. U këshilluan anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë, që punojnë në aparatin e Presidiumit të Kuvendit që ta trajtojnë çështjen me gjakftohtësi të madhe, se ajo po merr formën e një provokacioni nga ana e Haxhi Lleshit. Të mos transferohet asnjë nga ata të dy nga aparati i Presidiumit, siç do Haxhiu dhe asgjë të mos shtrohet në organizatën bazë. Gjatë kësaj kohe në Komitetin Qendror të Partisë dhe mua më vijnë letra anonime për lidhjet e Haxhiut me D.S. I vinë letra të tilla dhe Ramizit, me firmë nga një shok komunist që është në Presidium, për pikëpamjet armiqësore që shpreh gruaja, e cila punon sekretare e Haxhi Lleshit. Letra anonime i dërgohet Haxhiut nga sekretari i Komitetit Qendror të Partisë, Simon Stefani, që të marrë dijeni. Haxhiu i përgjigjet Simonit (të gjitha këto letra ndodhen në arkivin e Komitetit Qendror).

Haxhi Lleshi tërhiqet nga kërkesa që kishte bërë për përjashtimin e mbesës së Myslim Pezës, por ngul këmbë që të përjashtohet nëpunësi në fjalë dhe si arsye nxjerr disa gjëra të kota. Shokët i vënë në dukje Haxhiut se arsyet që ai jep nuk janë me vend, sidoqoftë ta përjashtojmë nga aparati si atë, si D.S se po na bëhet skandal dhe i numërojmë Haxhiut sjelljet arrogante dhe armiqësore të saj (pa i dhënë gjë për lidhjet me të). Haxhi Lleshi u përgjigjet se ai nuk është dakord me ta. “D.S unë nuk lejoj të përjashtohet nga Presidiumi i Kuvendit dhe të shkojmë në organizatën bazë”. Anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë, që punojnë në Presidium, i thonë Haxhiut të mos çohet ky problem në organizatë bazë të Partisë, se atëherë do të na dalin në shesh shumë gjëra, që do ta ulin prestigjin e tij si President i Presidiumit. Haxhiu shkoi deri atje, sa t’u thotë shokëve “le të më nxjerrë Partia në pension, duke më hequr nga Presidiumi”.

Këto janë dy probleme që këta dy persona i nxjerrin në shesh dhe i krijojnë kokëçarje Partisë në këtë kohë. Të dy këta dhanë një kontribut në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Partia dhe unë i kemi nderuar, kemi vënë në dukje meritat e tyre, në popull ata njihen si shokë udhëheqës. Për çfarë arsyeje të dy këta, Myslimi dhe Haxhiu, i hapin për herë të parë këto letra të vjetra të tyre dhe në një kohë që Partia po kapërcen me sukses punën shumë armiqësore të Mehmet Shehut si agjent i jugosllavëve? Këta po na krijojnë me këtë një kokëçarje të re. Mos vallë qëndron gishti i jugosllavëve prapa tyre? Përvoja e luftës kundër armiqve të jashtëm dhe të brendshëm na ka dhënë mësime të mëdha.

Kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi vigjilentë për të mbrojtur atdheun, Partinë, socializmin. Do të dëshiroja që në çështjet e këtyre dy shokëve të mos ketë gisht armiku, por vigjilent duhet të jem dhe do të veproj në mënyrë që sadisfaksion armikut jugosllav të mos i jap asnjëherë dhe të mos bie në provokacionet e këtyre dy shokëve në qoftë se janë provokacione. Me gjakftohtësi do të veproj që të mbrohet atdheu, të shmanget skandali që kërkon të bëjë armiku dhe këta dy shokë “të vjetër” të bëhen të parrezikshëm dhe në interesin e Partisë, që sulmohet vazhdimisht nga armiqtë, të marrim ato masa që vetëm armiku të dështojë, kurse Partia e populli të triumfojë.

Dokumentet-lidhja-intime-Haxhi-Lleshi1

Haxhi Lleshi në 92: Kombi dhe Enver Hoxha nuk duhen prekur

Enver Hoxha rezervonte për Haxhi Lleshin, ish presidenti komunist dhe njëri nga “Heronjtë e Popullit”, deri në çastet e fundit të jetës, nuk rreshti duke artikuluar për meritat e jashtëzakonshme të diktatorit, pa të cilin, siç shprehej ai, Shqipërinë do ta kishin copëtuar të huajt.

Pavarësisht se Lleshi nuk u njoh kurrë me ato që shkruante Enveri në ditarin e tij, ku e akuzonte si intrigant e amoral, ai asnjëherë nuk e vuri në dyshim rolin e diktatorit në zhvillimin e vendit. Madje edhe në ditët e demokracisë, Haxhi Lleshi u bë protagonisti kryesor i lëvizjes “Vullnetarët e Enverit” në mbrojtje të figurës së tij. Ja si shprehet Lleshi për Enverin në media në mesin e viteve 90…

“Mua me Enver Hoxhën më lidhi lufta partizane për liri. Dola në luftë si mijëra të tjerë. Unë e shumë shokë të mi patëm edhe funksione të larta në këtë luftë. Si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm i Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Partizane i kam njohur të gjithë këta komandantë e komisarë. Sot mund të dalin shumë trima e shumë heronj, por unë, Haxhi Lleshi, edhe para plumbit e litarit do të bëja deklaratën time se, të gjithë ne mund të kryenim detyrat sipas funksioneve që na u besuan, por asnjëri nga ne, absolutisht asnjëri nga ne, nuk ishte në gjendje të udhëhiqte luftën në tërësi, përveç Enver Hoxhës.

I vetmi burrë që mund të na udhëhiqe e të çonte në fitore ishte Enver Hoxha. Tjetër s’kishte. Pa zgjuarsinë e Enver Hoxhës e talentin e tij si udhëheqës legjendar i pagabueshëm lufta e popullit tonë do të zihej rob. Meritat e Enver Hoxhës për liri, pavarësi e socializëm nuk i peshon as mali i Korabit. Enver Hoxha është udhëheqësi më i madh që ka lindur kombi. Kjo është fjala e nderit e Haxhi Lleshit. Kombi dhe Enver Hoxha nuk duhen prekur…”

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

Most Popular